Me interpretimin emocionues të Himnit të Mësuesit, nisi aktiviteti në Pallatin e Brigadave ku u nderuan disa prej mësuesve që kanë dhënë kontribut në arsim.  

Pjesmarrës ishte dhe Kryeministri Edi Rama, i cili foli për rolin dhe figurën e arsimtarëve. Kryeministri veç se solli në vëmendje politikat mbështetëse në arsim, tha se synimi i qeverisë është rritja e pagave të mësuesve.

“Paga mesatare 950 Euro është një fakt shumë domethënës i fuqizimit të vendit tonë ekonomik, por edhe i vullnetit për të fuqizuar mësuesit dhe sigurisht që ambicia jonë është për ta çuar pagën mesatare të mësuesve përtej 1 mijë eurove”, tha Edi Rama.

Nga ana tjetër kryeministri foli dhe për vështirësitë që kanë mësuesit përballë teknologjisë, apo si e quajti ai çmësuesi në xhepat e nxënësve.

“Ju jeni në luftë të përditshme, të përorshme, të përminutshme, me një mësues tjetër që është në fakt çmësues, ç’mësuesi që rri në xhepin apo në çantën e fëmijëve, e nxënësve, që në mënyrë të vazhdueshme i nxit të bëjnë krejt të kundërtën e asaj që ju kërkoni”, tha Edi Rama.    

Sipas tij, kushtet e punës së mëusesve gjatë kësja dekade kanë ndryshuar.

“Sot ju shkoni në një vend pune që është dinjitoz. Sot mësuesit e teknologjisë, apo ata që duan të bëhen mësues në teknologji, kanë në dispozicion laboratorë të standardeve më të larta, të cilët do të shtohen vit pas viti për të mbyllur brenda trevjeçarit të gjithë nevojat e të gjitha shkollave për laborator inteligjent”, tha Rama.

Në mbyllje të fjalës së tij, Rama tha se do ketë rishikim të kurrikulave dhe ajo do të bëhet së bashku me mësuesit.

Klan News