7 Marsi është dita kur fokusohemi te njerëzit që na kanë dhënë njohuritë e para të rrugës së gjatë të dijes. Mësues të ndryshëm na shoqërojnë për vite të tëra studimi duke lënë secili një gjurmë tek ne që e mbartim edhe pas largimit nga bankat e shkollës.
Ndoshta ajo që nuk dimë apo flasim më pak, është shenja që u mbetet mësuesve nga nxënësit e tyre. Adriatike Lami ka 28 vite në këtë profesion dhe e ka ndier kur është kthyer edhe ajo në një nxënëse duke marrë mësimin e parë. Në programin “Shije Shtëpie” në Tv Klan, mësuesja kujton fillimet e profesionit kur beteja përballë një nxënësi i solli fitoren dhe mirënjohjen e përjetshme të një nxënësi.
Adriatike Lami: Punoja në Sauk të Tiranës në atë kohë se Sauku ishte më larg, sot është pjesë e integruar e qytetit, ishte shkollë e bashkuar, unë jepja mësim nga klasa e pestë deri në klasën e dymbëdhjetë. Një gjimnazist nuk e donte shkollën, nuk e donte. Reagimi i ne të dyve ishte reagim kush ta fitonte betejën. Unë isha mësuese e re, ai ishte një nxënës sfidant dhe gjetëm një gjuhë komunikimi, po unë atëherë nuk isha e sigurt nëse do ta fitoja betejën me atë nxënës. Bëra llogarinë me veten time që në qoftë se unë nuk e fitoj këtë betejë, do ta lë arsimin. Rastisi që e fitova atë betejë dhe nuk është e thënë çfarë rruge ndoqa unë sepse rrugët ndonjëherë, nuk është rruga e vetme ajo që një mësues ndjek për të fituar një betejë me një nxënës dhe të mësuarit. Pas shumë vitesh, kur unë punoja jo më në Sauk, por në shkollën “Çajupi” në Tiranë, isha nëndrejtoreshë në atë shkollë, ky nxënës vjen nga jashtë shtetit vetëm për të më falënderuar. Nuk do ta harroj. Kishim përfituar nga njëri-tjetri. Ai mendonte që vetëm ai kishte përfituar nga unë, por unë në të vërtetë ngaqë e kam përmendur shumë herë të tjera, e kam konsideruar si mësim të parë në atë fillim të punës për mësuesinë./tvklan.al