Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka konfirmuar masën e sigurisë arrest me burg për 9 prej 14 të arrestuarve si pasojë e megaoperacionit të SPAK ku u goditën 7 grupe kriminale.
Vendimi u dha këtë të diel në seancën që nisi në orën 10:00, por u shty me disa orë për shkak se avokatët mbrojtës kërkuan që të njihen me dosjen.
Sipas asaj që ka mësuar gazetari Besar Bajraktaraj disa nga personat që janë lënë në arrest me burg janë Naim Stafuka, Armando Ndreca, Robert Laçi, Viktor Imeraj, Satilno Basho, Deivis Bajramaj, Drianto Bardhi, Blerim Abazi dhe Miri Bruli.
Si pasojë e hetimeve të SPAK u goditën 7 grupe kriminale. Gjithsej nga ky operacion u arrestuan 20 vetë. Në Shqipëri janë vënë në pranga 14 persona, ndërsa 6 të tjerë u arrestuan jashtë vendit. Ndërkohë janë shpallur në kërkim 30 persona të tjerë.
Nga ky hetim u zbuluan aleancat mes grupeve për të goditur njëri-tjetrin. Urdhër-arrestet u nxorrën për personazhe të njohur të botës së krimit dhe në to përfshihej edhe ish-deputeti Arben Ndoka dhe 4 zyrtarë policorë.
Autoritetet sekuestruan shuma të mëdha parash cash, flori, bizhuteri e makina të blinduara, vlera e të cilave shkon në rreth 3 milionë euro. Falë këtij hetimi, SPAK ka zbardhur gjithashtu një sërë ngjarjesh kriminale dhe vrasje të bujshme që kanë ndodhur disa vite më parë (Lexo më shumë).