Stefano Pioli, ish-trajneri i Milanit, i cili tani drejton ekipin e Al Nassr ku luan edhe Cristiano Ronaldo, ka folur 8 muaj pas lamtumirës së tij me kuqezinjtë.
Në një intervistë për ‘Gazzetta dello Sport’ ai u ndal te 5 vitet e tij në Milanello, marrëdhëniet me lojtarët e me drejtuesit.
59-vjeçari tregon se në Riad të gjithë e njohin atë dhe të kaluarën me “Djallin”.
“Kudo më njohin! Në qendrat tregtare, në restorante! Më thërrasin Bioli, me B. Ka shumë milanistë këtu! Lamtumira me Milanin? Kishte ardhur një përfundim fiziologjik, derbet e përshpejtuan atë! Të humbësh gjashtë radhazi të lëndon, është e kuptueshme! Sidomos ato të dy në Ligën e Kampioneve, edhe pse zhvlerësuan një rezultat të madh, rikthimin në gjysmëfinale pas 16 vitesh”, tha trajneri i Al Nassr, Stefano Pioli
Pioli u ndal edhe te marrëdhëniet me drejtuesit si edhe me futbollistët.
“Me Maldinin e Masaran kemi mbetur në kontakt. Kam punuar mirë me dy persona të ndershëm dhe shumë kompetentë. Mereshim vesh mjaft mirë! Pastaj me Paolon pati edhe diskutime të forta, sepse të dy jemi kokëfortë! Teo është një djalë i mirë! E kam nxitur çdo seancë stërvitore! Por më thoni një mbrojtës krahu që di ta zhvendosë lojën si ai! Leao rritet vazhdimisht! Nuk e di aq sa për të fituar ‘Topin e artë’, por po bëhet shumë i fortë! Reijnders? U mahnita nga eleganca dhe aftësia për të shkuar përtej kundërshtarit pa e dribluar. Te Milani kam përjetuar emocione të paimagjinueshme dhe të paharrueshme, e për këtë do t’u jem mirënjohës gjithmonë”, shtoi trajneri.
Pioli tha se për pesë vite i dha Milanit çdo gjë që kishte, për të lumturuar tifozët e klubin. Por dhe nga ata mori shumë!
Klan News