Roma ka shkarkuar trajnerin Daniele De Rossi nga detyra e tij si trajner. Në njoftimin zyrtar, klubi verdhekuq informoi se e kishte marrë vendimin në interes të skuadrës, në mënyrë që të mund të rifillojë me shpejtësi rrugën e dëshiruar, në një kohë kur sezoni është ende në nisje.
Klubi ka falenderuar De Rosin për punën e bërë. Pronarët e klubit verdhekuq kanë befasuar me vendimin, ndërsa të hënën mbërritën në kryeqytetin italian, për të kuptuar se çfarë po ndodhte në fillimin e sezonit ku klubi kishte grumbulluar vetëm 3 pikë në 4 ndeshje, pa asnjë fitore të arritur.
Mediat në Itali raportojnë për një takim mes palëve dhe debate të ashpra, që sollën edhe shkarkimin e teknikut. De Rossi u ul në stolin e Romës më 16 Janar, pas shkarkimit të José Mourinho.
Pak muaj më vonë për të mbërriti edhe rinovimi i kontratës deri më 30 Qershor 2027.
Nga 16 Janari deri më 18 Shtator në stolin e verdhekuqve, ai drejtoi 30 ndeshje, ku mori 14 fitore, 9 barazime dhe 7 humbje. Por për Romën erdhi vetëm një sukses në 11 sfidat e fundit, në ndeshjet në Serie A dhe Europë. Fitorja e fundit për De Rosin ishte kundër Xhenoas më 19 Maj 2024.
Drejtimin e ekipit do ta marrë Ivan Juriç. Roma arriti akordin pak orë pas largimit të 41-vjeçarit. Trajneri kroat, më herët në Itali ka drejtuar ekipet e Torinos, Veronës dhe Xhenoan. Juriç do të firmosë një kontratë deri në qershor të 2025-ës.
Klan News