Një grup studiuesish në një spital të Izraelit thonë se doza e katërt e vaksinës kundër Covid-19 nuk ndihmon për të shmangur infektimin nga varianti Omicron. Mjekët e spitalit ‘Sheba’ thanë se u dhanë një dozë të katërt të vaksinës Pfizer-BioNtech ose të Moderna, 274 punonjësve të sistemit shëndetësor. Ata zbuluan se megjithëse doza përforcuese rriste nivelin e antitrupave, vaksina nuk e parandalonte përhapjen e Omicron-it.
Autoritetet e Ministrisë së Shëndetësisë thanë se ky informacion do të merret në konsideratë për të vendosur nëse programi i imunizimit të popullatës do të zgjerohet duke shtuar një tjetër dozë. Gjetjet, për të cilat spitali tha se janë të parat e këtij lloji në botë, janë paraprake dhe nuk janë publikuar ende.
Izraeli vendi më i shpejtë në vaksinimin kundër Covid-19 të popullatës filloi të ofronte muajin e kaluar dozën e katërt për personat mbi 60 vjeç.
Klan News