“AstraZeneca” ka nisur tërheqjen në mbarë botën të vaksinës së saj anti-Covid pasi kompania ka deklaruar se ka një tepricë të vaksinave në dispozicion. Në një deklaratë, “AstraZeneca” tha se vendimi u mor sepse tani ka një shumëllojshmëri të vaksinave më të reja në dispozicion që janë përshtatur për të synuar variantet e Covid-19. Kjo kishte çuar në një rënie të kërkesës për vaksinën “AstraZeneca”.

“Meqenëse janë zhvilluar disa variante të Covid-19, ka një tepricë të vaksinave të disponueshme,” tha kompania, duke shtuar se kjo kishte çuar në një rënie të kërkesës për Vaxzevrian (kështu quhet vaksina anti-Covid e “AstraZeneca”), e cila nuk po prodhohet më.

Më tej, në njoftim thuhet se mbi 6.5 milionë jetë janë shpëtuar vetëm vitin e parë të përdorimit të vaksinës, si dhe mbi 3 miliardë doza janë shpërndarë globalisht.

“Sipas vlerësimeve të pavarura, mbi 6.5 milionë jetë u shpëtuan vetëm në vitin e parë të përdorimit dhe mbi 3 miliardë doza u furnizuan globalisht. Përpjekjet tona janë njohur nga qeveritë në mbarë botën dhe konsiderohen gjerësisht si një komponent kritik i përfundimit të pandemisë globale”, thuhet në deklaratë.

Ky njoftim vjen pasi më 7 Maj, Agjencia Evropiane e Barnave lëshoi ​​një deklaratë se vaksina nuk është më e autorizuar për përdorim. Ndërkohë, vetë kompania ka pranuar para disa ditësh se vaksina e saj anti-Covid mund të shkaktojë një efekt anësor të rrallë. (LEXO MË SHUMË)

Kjo ka ardhur pas disa padive se vaksina e gjigandit farmaceutik ka shkaktuar vdekje dhe lëndime të rënda në dhjetëra raste. Avokatët e palës së paditësve kanë argumentuar se vaksina ka prodhuar një efekt anësor, i cili ka pasur një efekt shkatërrues në një numër familjesh.

“AstraZeneca” ka kundërshtuar pretendimet, por nga ana tjetër ka pranuar në një dokument ligjor të dorëzuar në Gjykatën e Lartë në muajin Shkurt se vaksina e saj anti-Covid mund të shkaktojë në raste të rralla TTS (trombozën me sindromën e trombocitopenisë). TTS shkakton mpiksjen e gjakut dhe një numër të ulët të trombociteve në gjak.

“Pranohet se vaksina AZ në raste shumë të rralla mund të shkaktojë TTS. Mekanizmi shkaktar nuk dihet”, thuhet në dokumentin ligjor të dorëzuar nga “AstraZenenca” në Gjykatën e Lartë.

Ndërkohë, pas deklaratës së kompanisë “AstraZeneca”, e cila pranoi për herë të parë në gjykatë se vaksina e saj kundër Covid shkakton  mpiksjen e gjakut, ekspertët në Shqipëri thonë se nuk ka vend për panik.

Mjeku Ilir Alimehmeti thotë se  pasi vaksina e cila u përdor në vendin tonë në 2021, tek mësuesit dhe pedagogët, si dhe një pjesë u dha për bluzat e bardha në Kosovë, efektet e saj nuk i jep në periudhë të gjatë kohore. (LEXO MË SHUMË)

“Përsa i përket pjesës së trombozës me trombocitoninë kanë qenë të raportuara në 2021 këto raste kur kjo vaksinë përdorej. Por është një ndërlikim shumë i rrallë e para dhe e dyta është që është afatshkurtër, nëse do të ndodhte do të ndodhte në atë periudhë kur janë bërë vaksinat. Pra është afatshkurtër gjëja që ndodh. Për të qetësuar njerëzit, që në qoftë se kanë bërë një vaksinë në 2021, tani në 2024 ky lloj efekti nuk shkon. O ka ndodhur, ose mbyllet këtu”, tha ai.

Shqipëria nisi aplikimin e vaksinës antiCovid AstraZeneca më 13 Mars të vitit 2021.


Vende të tjera tashmë kanë ndaluar furnizimin me vaksinën. Nuk ka qenë i disponueshëm për përdorim në Australi që nga Marsi i vitit 2023, megjithëse përdorimi i tij tashmë ishte hequr nga Qershori 2021 për shkak të disponueshmërisë së gjerë të vaksinave më të reja.

“AstraZeneca” ndryshoi emrin e vaksinës së saj kundër Covid në Vaxzevria në vitin 2021. Vaksina u autorizua për përdorim tek ata të moshës 18 vjeç e lart, e dhënë si dy injeksione, zakonisht në muskulin e krahut të sipërm, me një distancë prej rreth tre muajsh./tvklan.al