Presidenti Donald Trump dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un bënë histori me takimin e tyre në Singapor. Dy udhëheqësit nënshkruan një marrëveshje që detyron dy vendet të punojnë drejt çarmatimit të gadishullit korean, ndërsa detajet mbeten të paqarta. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Jim Malone, për Presidentin Trump kjo është lëvizja më e rëndësishme në rrafshin e politikës së jashtëme që nga ardhja në këtë post, dhe vjen ndërkohë që Trump shpreson të forcojë pozitat politike brenda vendit në prag të zgjdhjeve të pjeshme për Kongresin amerikan në muajin nëntor.

Që nga shtrëngimi i parë i duarve e deri në nënshkrimin e marrëveshjes për çarmatimin bërthamor, Presidenti Trump dhe udhëheqësi Kim ndërmorën hapat e parë drejt hapjes së një kapitulli të ri mes dy vendeve.

“Njerëzit do të jenë shumë të impresionuar dhe shumë të gëzuar. Ne do të zgjidhim një problem shumë të madh dhe shumë të rrezikshëm për botën”,

u shpreh Presidenti Trump.

Ishte momenti më kryesor për Presidentin Trump deri më sot në arenën ndërkombëtare. Ai tha për bashkëpunëtoren e Zërit të Amerikës, Greta Van Susteren, se ishte një mundësi për të cilën po priste me padurim.

“Bisedimet na shkuan mirë dhe patëm afrimitet. Për mua ka rëndësi afrimiteti dhe gjendja shpirtërore gjatë bisedimeve. Mendoj se gjëra të mira do të vijnë për Korenë e Veriut.”

Ndërsa Pheniani u zotua të punojë drejt çarmatimit bërthamor, Uashingtoni ofroi garanci të jokonkrete për sigurinë dhe ndalimin e manovrave ushtarake me Seulin.

Për disa, ishte një takim ku sundonte simbolika dhe me pak substancë, thotë analisti Kyle Ferrier me Institutin Ekonomik Korean të Amerikës.

“Për të dy palët, ishte thjesht një takim për t’u përshëndetur, që të njiheshin, për të hapur rrugën për bisedime të ardhshme”.

Takimi Trump-Kim erdhi pas samitit të vendeve të G-7 në Kanada ku presidenti amerikan dhe Kryeministri Justin Trudea i Kanadasë kryqëzuan shpatat lidhur me tarifat tregtare, ndërsa Kanadaj u zotua për hakmarrje.

“Si kanadezë, ne njihemi si të sjellshëm dhe të arsyeshëm, por ne nuk lejojmë të merremi nëpër këmbë”,

tha Kryeministri Trudeau.

Veprimet herë agresive dhe herë të paparashikueshme të zotit Trump në arenën botërore, i kanë rrënjët tek premtimet e fushatës që ai bëri për mbështetësit, thotë zoti Ferrier.

“Shumë gjëra që zoti Trump bën në politikën e jashtëme janë shumë trazuese, bazuar në premtimet e fushatës. Atij nuk i pëlqejnë gjërat që nuk ndryshojnë, dhe shumë prej këtyre veprimeve joshin bazën.”

Me sa duket, Trump pret që takimi t’i japë shtytje politike brenda vendit, ndërsa mbështejta historikisht e ulët në anketa ka filluar të përmirësohet së fundmi, thotë Frank Newport me organizatën Gallup.

“Mbështetja për të ka filluar të rritet. Mbështetja për të zakonisht ka qënë mes 39 dhe 40 përqind për një kohë të gjatë. Por në anketat e Gallupit mbështejta javën e fundit ka arritur në 42 përqind dhe patëm një javë kohët e fundit ku mbështejta ishte 43 përqind”.

Trump pritet ta paraqesë takimin si një arritje të madhe politike. Por mbetet e paqartë se sa do të ndihmojë kjo republikanët ndërsa përballen me vështirësi në zgjedhjet e pjesshme të nëntorit për Kongres, thotë John Fortier me Qendrën për Politika Dypartiake.

 

“Presidenti është figura qendrore në fletët e votimit në zgjedhjet e nëntorit. Edhe pse teknikisht nuk kandidon, ai është figura kundër të cilit votojnë kundërshtarët. Kemi një opozitë të fuqishme demokratike kundër zotit Trump, dhe ata po shprehin entuziazëm për të dalë në votime”.

Tashmë i takon zotit Trump që të gjejë mënyrën se si ta paraqesë takimin me Korenë e Veriut si një sukses, ndërkohë që një pikëpyetje është thelbi i asaj që u arrit në Singapor./’VOA