Treguesi i ndjesisë ekonomike shënoi një kthesë drejt rritjes me 0.9 pikë në muajin Shkurt, pas rënieve gjatë dy muajve të mëparshëm. Referuar raportit më të fundit të Vrojtimit të Besimit të Biznesit dhe të Konsumatorit të Bankës së Shqipërisë niveli aktual qëndron rreth 7% mbi mesataren historike.
Rritja e Treguesit të Ndjesisë Ekonomike gjatë Shkurtit u përcaktua nga rritja e besimit në sektorët e industrisë, tregtisë dhe besimi i konsumatorëve.
Sipas Bankës së Shqipërisë, Treguesi i Besimit të Industrisë u zgjerua me 1.1% në Shkurt, duke iu rikthyer rritjes së treguesit pas tkurrjeve të katër muajve të kaluar.
Niveli i tij qëndron rreth 4 pikë përqindje mbi mesataren historike dhe rritja e ketij treguesi u ndikua nga vlerësimet më pozitive të bizneseve për prodhimin industrial aktual si dhe pritjet më optimiste për porositë nga eksportet.
Nga ana tjetër, një tregues i cili lidhet edhe me sektorin e turizmit, Treguesi i Besimit në Tregti u rrit me 3.2% në muajin Shkurt dhe aktualisht qëndron rreth 7.5 pikë përqindje mbi mesataren historike. Në rritjen e ketij treguesi, sipas Bankës së Shqipërisë ndikuan vlerësimet më pozitive të ecurisë aktuale të biznesit dhe pritjet për nivelin e punësimit në të ardhmen.
Performancë pozitive gjatë muajit të shkuar shënoi edhe Treguesi i Besimit Konsumator me rritje prej 2%. Vlerësimi aktual dhe pritjet për blerjet në shuma të mëdha u rritën këtë muaj ndërkohë që edhe pritjet për situatën ekonomike dhe atë financiare ishin gjithashtu më optimiste.
Të vetmit tregues që shënuan rënie sipas raportit më të fundit të Vrojtimit të Besimit të Biznesit dhe të Konsumatorit nga Banka e Shqipërisë ishte sektori i ndërtimit dhe shërbimet.
Klan News