Konflikti mes dy familjeve degjeneron në dhunë. Autori i merr armën nga brezi policit
Policia e Fierit ka dhënë informacion zyrtar për ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e kësaj të shtune në spitalin e këtij qyteti. Kështu, zyrtarisht mësohet se të plagosurit janë 5, prej të cilëve 1 me armë zjarri, 2 me sende të forta dhe 2 me mjet prerës.
Në njoftimin e policisë sqarohet se gjithçka nisi në Levan. Një konflikt mes dy familjeve çoi në plagosjen me sende të forta të G.ZH dhe D.Zh, ndërsa K.L. dhe E.M. mbetën të lënduar me mjet prerës.
Të plagosurit u transportuan për në spital, për ndihmë mjekësore. Por në Urgjencën e Spitalit një prej shoqëruesve të të dëmtuarve i ka marrë armën e zjarrit nga brezi punonjësit të policisë, i cili po ndihmonte për të futur të plagosurit në Urgjencë dhe ka plagosur me armë zjarri një prej familjarëve të palës tjetër, një person me iniciale A.ZH.
Në ndihmë të punonjësve të Policisë kanë shkuar menjëherë forca të shumta policie duke bërë bllokimin e dy personave, E.B. e D.B. dhe shoqërimin në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë për veprime të mëtejshme.
FNSH dhe shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë po krehin zonën për të bërë të mundur kapjen edhe të një personi tjetër të përfshirë në këtë ngjarje.
“Për hetimin e kësaj ngjarje Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka ngritur një grup të posaçëm hetimor me Specialistë të Hetimit të Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale. Njëkohësisht me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në vendngjarje kanë shkuar edhe specialistët e Drejtorisë së Standardeve Profesionale në Polici, për të verifikuar veprimet e punonjësve që ishin në momentet e para në Urgjencën e spitalit. Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier po vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, motivit të konfliktit si dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave përgjegjës”, thotë policia në njoftimin e saj për mediat./tvklan.al