Të shtëna me armë zjarri u dëgjuan mesditën e kësaj të shtune në qytetin e Shkodrës. Ngjarja ndodhi në lagjen “Partizani” dhe objektiv ishte automjeti Range Rover që shihni në pamjet më lart.
Nga ngjarja nuk ka të lënduar.
Sipas asaj që raporton nga Shkodra gazetarja Emi Kalaja, në drejtim të mjetit në fjalë, është qëlluar të paktën 5 herë. Shoferi i tij sapo ka dëgjuar të shtënat ka ndaluar mjetin dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.
Automjeti është në pronësi të Sokol Kajoshit, por në drejtimin e tij dyshohet të ketë qenë një prej djemve të tij, Arjon Kajoshi.
Sa i takon autorit të ngjarjes, gazetarja Kalaja thotë se ai është identifikuar nga policia si Alban Bruçi dhe është në kërkim.
Ngjarja dyshohet të jetë hakmarrje për rrahjen e 62-vjeçarit Vladimir Bruçi, babai i Alban Bruçit, më 3 Qershor të këtij viti. Në mesin e 5 personave të dyshuar për këtë ngjarje ishte edhe Arlind Kajoshi, djali tjetër i Sokol Kajoshit.
Vetë policia sqaron se për këtë rast, Arlind Kajoshi “pas kërkimit policor është kapur nga policia dhe ka dhënë deklarim në lidhje me konfliktin e ndodhur. Pas konsultimit me Prokurorin, ky shtetas është proceduar penalisht dhe ndiqej në gjendje të lirë.”/tvklan.al