Banorët e lagjes Partizani në qytetin e Shkodrës u terrorizuan mesditën e kësaj të shtune, kur në mes të rrugës shpërthyen të shtënat me armë zjarri. Të paktën 5 plumba dolën nga arma e zjarri që objektiv kishte një Range Rover në lëvizje, në timonin e së cilës ndodhej Arjon Kajoshi. Me të kuptuar çfarë po ndodhte, shoferi ndaloi dhe e braktisi mjetin duke u larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Nga të shtënat fatmirësisht nuk pati të lënduar, ndërsa dyshimet e para janë se ngjarja erdhi si pasojë e hakmarrjes.

Kjo pasi autor i dyshuar është Alban Bruçi. Policia e ka shpallur në kërkim dhe po punon për kapjen e tij. Sipas asaj që raporton Klan News, ai është djali i Vladimir Bruçit, një 62-vjeçari i cili më 3 Qershor të këtij viti u dhunua nga disa persona. Në mesin e të dyshuarve ishte edhe Arlind Kajoshi, vëllai i Arjon Kajoshit.

Makina në fjalë është në pronësi të babait të dy vëllezërve, Sokol Kajoshit.

Në një deklaratë për mediat, sa i takon ngjarjes së Qershorit, policia e Shkodrës saktëson se Arjon Kaloshi u shoqërua pas ngjarjes dhe pasi iu mor deklarimi u la i lirë.

“Pas kërkimit policor është kapur nga policia dhe ka dhënë deklarim në lidhje me konfliktin e ndodhur. Pas konsultimit me Prokurorin, ky shtetas është proceduar penalisht dhe ndiqej në gjendje të lirë”, sqaron policia./tvklan.al