Kur bëhet fjalë për rastësi në dashuri apo për dashurinë me shikim të parë, të gjithë bëhen skeptikë dhe përgjigjen e tyre e bazojnë në përvojat personale. Në momentin që mendon se të është rrënuar gjithë dynjaja në këmbët e tua, vjen një moment që ndodh ajo që nuk e kishe imagjinuar. Papritur para teje shfaqet personi që do të shërojë plagët e do të zbukurojë jetën.

Të tilla raste i kemi parë rëndom në filma, por Loreta Berhami na tregon në “Shije Shtëpie” në Tv Klan se ato ndodhin dhe në realitet. Ndarja nga i dashuri pas 5 vitesh pa dyshim e rrënoi, por Loreta nuk e dinte se në një lokal në qytetin e dashurisë, Paris, do të gjente vërtet dashurinë e saj të jetës.

“U njoha me një argjentinas rastësisht. Sa isha ndarë nga i dashuri im italian. Unë vija nga Italia në Paris për të studiuar dhe isha në një gjendje emocionale të rënduar sepse nuk kisha asnjë javë që isha ndarë me të dashurin tim prej pesë vitesh për më tepër ishim ndarë në telefon, kështu që kishte qenë një gjë shumë e rënduar. Erdhën shoqet e mia nga Italia që të më ngrinin moralin dhe ato insistuan të dilnin. Ato kishin ardhur për “gjah”. Unë nuk doja të dilja, doja që të rrinim në shtëpi e të bënim muhabet, qaja. Shkuam tek ky lokali, ku vetëm unë nuk kërceja. Atje njoha djalin që sot e kësaj dite është bashkëshorti im dhe për mua ka qenë dashuri me shikim të parë”, tregoi Loreta Berhami./tvklan.al