Fokusi i programit “Shije Shtëpie” në Tv Klan këtë të mërkurë ishte tek familjet. Në ditët e sotme çiftet e reja janë të prirura më shumë drejt krijimit të një familjeje të vogël. Shumë të rinj nuk kanë guximin që të bëjnë fëmijë, ose të duan të kenë më shumë se një fëmijë.
E ftuar në program gazetarja, Enkeleida Zeko tregoi disa nga faktorët kryesorë që shtyjnë çiftet e reja, por jo vetëm, të marrin të tilla vendime.
“Do e nis me një shprehje që njeriu me fëmijë dhe me pasuri nuk kënaqet kurrë. Sa më shumë të ketë aq më bukur është dhe aq më mirë ndjehet. Nuk besoj që për të gjitha familjet kjo është një zgjedhje. Ka shumë faktorë. Janë disa arsye që të çojnë që ti të kesh një fëmijë apo të kesh shumë fëmijë. Unë them që arsyet janë të shumta dhe një nga arsyet kryesore është siguria e jetës sonë. Është ajo që të bën të mendosh përtej arsyeve financiare është edhe arsyeja e jetës. Më përpara besoj që prindërit tanë nuk e mendonin dy herë nëse do të bënin, një, dy apo tre fëmijë. Jeta ishte e ndërtuar e tillë që bërja e shumë fëmijëve ishte një farë detyrimi, kurse sot është më e vështirë. Mes punës e sakrificave për të ndërtuar një familje ekonomikisht mirë është e vështirë dhe besoj se këto janë disa nga arsyet kryesore që një familje zgjedh që të bëjë një fëmijë. Por, ndonjëherë janë edhe zgjedhje të rastësishme. Ka familje që duan të kemi më shumë se një fëmijë, por nuk e kanë të mundur këtë gjë. Natyrisht që ana shëndetësore është një faktorët që shqetëson shumë prindërit sot.”
Enkeleida Zeko është nënë e një vajze 10-vjeçe. Ajo tregon se ashtu sikurse prindërit e saj e kanë bekuar me një motër e një vëlla, edhe ajo shpreh dëshirën që në jetën e saj të jetë nënë e më shumë se një fëmije. Duke e konsideruar si një gabim të sajin, gazetarja tregon se për çdo person ka arsye të ndryshme të cilat ndikojnë në të tilla vendime.
“Fëmijët nuk bëhen vetëm për vete, bëhen dhe për njëri-tjetrin. Kjo është një nga ato gjërat që unë mendoj. Një nga pasuritë që kam në jetë është që kam një motër dhe një vëlla. Dhurata më bukur që më kanë bërë prindërit është që të ndjehem me krahë të ngrohta, nga të dyja krahët. Do të thoni ju pse nuk e ke bërë edhe ti këtë me vajzën tënde. Ky është një gabim padiskutim. Nganjëherë janë kushte të caktuara të cilat të detyrojnë që ti jo të ndalosh së bëri fëmijë, por të ndalosh dhe të mendosh, kjo është ajo që mund të them në këto momente. Do më pëlqente që të kisha më shumë se një fëmijë është shumë e vërtetë, nuk e mohoj këtë gjë.”/tvklan.al