Nikolin Kurti është i afërm i Dom Shtjefën Kurtit, klerikut katolik që u pushkatua gjatë regjimit komunist sepse kreu një pagëzim. Nikolin Kurti ka ndërruar jetë dy ditë më parë, ndërsa intervista e tij e fundit për emisionin “Opinion” në Tv Klan i është dedikuar xhaxhait të babait të tij. Ai tregon se e takoi pasi doli nga burgu në vitin ’63, i ka lënë një libër me kujtime dhe i premtoi se do t’i mësonte gjuhë të huaja.
Dom Shtjefën Kurti kishte studiuar në Austri e Romë. Pas daljes nga burgu punoi famulltar në kishën që ishte vendosur fillimisht në Gurëz të Laçit. Nga viti 1967-1970 punonte në kooperativë bujqësore derisa u arrestua sërish dhe u dënua me vdekje për pagëzimin.
Blendi Fevziu: Si është historia e famshme e pagëzimit?
Nikolin Kurti: Mbyllja e institucioneve fetare ishte një goditje shumë e rëndë që mori shteti jonë, populli jonë. I privoi të drejtën për të bërë bekime, për të bërë pagëzime, për të komunikuar shpirtërisht për nevojat e komunitetit dhe u detyrua pikërisht për shkak të forcës së madhe që ekzistonte në mendjen e tij që t’i shërbente Krishtit, t’i shërbente kishës katolike të bënte veprime fetare të fshehta. Një kërkesë nga një familje, familja Nishi për të pagëzuar djalin, Toninin, sot jeton, ai e pranoi dhe e sollën fshehtas në një shtëpi që banohej dikur larg Gurëzit. Ia sollën prindërit, bëri pagëzimin aty dhe u kthyen në shtëpi. Ai ishte shumë i survejuar dhe vetëm për të ndjekur atë ishin 19 bashkëpunëtorë.
Prindi i fëmijës gjithashtu u dënua dhe e takoi të birin kur ai ishte adoleshent. Nikolin Kurti thotë se në pretencën e prokurorit dhe vendimin e gjykatës, e gjitha ishte pikërisht sepse Dom Shtjefën Kurti sfidoi regjimin. Gjyqi i tij u bë në kishën ku predikonte, në altar ku mori dënimin fatal.
Nikolin Kurti: Të lexosh pretencën do vësh duart në kokë sepse ka porositur, i ka thënë që kur të prashisni misrin, hiqni bimët e mira e të lini të këqija, kishte bërë sabotim. Kur të mbillni hardhitë, t’i mbillini me rrënjë lart e kokë poshtë.
Blendi Fevziu: Është e vërtetë që gjyqi i tij u bë në të njëjtën kishë ku kishte predikuar?
Nikolin Kurti: Po. Edhe në altar.
Blendi Fevziu: Në altar?
Nikolin Kurti: Aty ku ai predikonte, aty u vendos prokurori, aty u vendos trupi gjykues, aty të pandehurin.
Blendi Fevziu: Dhe e dënuan me vdekje.
Nikolin Kurti: Me pushkatim./tvklan.al