Temperaturat e ulëta që përjetuam gjatë fundjavës dhe mëngjesit të sotëm, duket se nuk do të na shoqërojnë këtë javë. Në një lidhje direkte për Klan News, meteorologu Hakil Osmani nga “MeteoAlb” tha se parashikohet që mesdita e sotme dhe ditët e tjera të kësaj jave të sjellin temperatura më të larta, të cilat në disa qytete pritet të shkojnë deri në 29 gradë. Ndërkohë, java pritet të jetë nën mbizotërimin e vranësirave të shpeshta që herë pas here do të krijojnë mundësi për momente të pakëta me pika shiu.

Hakil Osmani: Orët e mesditës sjellin intervale të gjata me kthjellime, kryesisht në Ultësirën Perëndimore, ndërsa zonat lindore kanë kalime të lehta të vranësirave. Parashikohet që pjesën e dytë të ditës, vranësirat të bëhen më të dukshme në zonat veriore dhe pjesërisht në zonat qëndrore duke bërë që herë pas here të krijojë mundësira për momente të pakëta me pika shiu. Përsa i përket ditës së martë, së mërkurë, të enjte dhe të premte, mbeten në mbizotërimin e vranësirave të shpeshta, të cilat do të krijojnë mundësira për reshje shiu. Herë pas here do të kemi rishfaqje dhe në formën e rrebesheve. Pritet që ditën e mërkurë të jenë disi më të dukshme në zonat jugore, ndërsa pjesa tjetër e territorit, reshjet e shiut do i ketë në sasira më të pakëta.

Mëngjesi i sotëm ka pasur temperatura mjaft të freskëta, ku vlerat minimale janë regjistruar në 6 apo 7 gradë Celsius në qytetet e zonave malore. Pritet një rritje e ndjeshme e temperaturave të ajrit në orët e mesditës duke bërë që në Ultësirën Perëndimore, vlerat minimale të jenë rreth 25 apo 26 gradë Celsius. Duke filluar nga dita e martë e në vijim, kemi rritje graduale të temperaturave të ajrit në orët e para të mëngjesit dhe të mesditës duke bërë që të paktën deri ditën e premte, temperaturat e ajrit në orët e para të mëngjesit në qytetet e zonave malore të ngjiten në vlerën 9 apo 10 gradë Celsius, ndërsa në orët e mesditës do të kemi temperatura shumë pranë vlerës 29 gradë Celsius. Këto temperatura priten të regjistrohen në qarkun e Elbasanit, në Berat, në Tiranë, Gjirokastër, Shkodër.


/tvklan.al