Është finalizuar operacioni policor “Tentakulat”, për goditjen e një grupi kriminal të implikuar që prej vitit 2019, në shitje dhe trafikim të kanabisit. Siç njofton Policia, janë identifikuar 10 pjesëtarët e grupit që e shisnin drogën në lokale në Tiranë dhe e trafikonin në Kosovë. 5 prej tyre janë arrestuar, ndërsa 5 të tjerët janë në kërkim.

Në kuadër të operacionit “Tentakulat”, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar e Departamenti të Policisë Kriminale të DPPSh-së, në bashkëpunim me DVP Tiranë dhe me DVP Dibër, si dhe në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, ekzekutoi masën e sigurisë “Arrest në burg”, të caktuar nga Gjykata e Tiranës, për shtetasit: D. U., 45 vjeç; A. G. alias A. G., 47 vjeç; M. Gj., 56 vjeç; Y. T. alias Y. H., 51 vjeç dhe R. D., 30 vjeç. Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni, janë identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasit A. D. alias A. D., 51 vjeç, A. D., 48 vjeç, N. G., 35 vjeç, E. T., 24 vjeç dhe I. P., 34 vjeç.

Këta shtetas akuzohen se të organizuar si grup, që nga viti 2019, kanë siguruar lëndë narkotike Cannabis Sativa, nga zona të ndryshme në Krujë dhe Dibër, dhe më pas e kanë shitur në lokale, në Tiranë, dhe e kanë trafikuar në Kosovë. Nga hetimet dyshohet se 10 shtetasit janë bashkëpunëtorë për kryerjen e këtyre veprave penale, me 11 shtetas të identifikuar nga Policia e Gjirokastrës, gjatë operacionit policor të koduar “Crossborder line”, në muajin nëntor 2024. Punohet për nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të të gjithë pjesëtarëve të grupit. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin zyrtar të bluve.

/tvklan.al