Ish-kryebashkiaku i Himarës Jorgo Goro është dënuar nga GJKKO me 3 vite e 1 muaj burg, por me gjykim të shkurtuar ai do të vuajë 2 vite e 20 ditë heqje lirie. Ai akuzohet për “shpërdorim detyre” në 2 raste dhe “fshehje pasurie”.
Siç raporton gazetarja e Klan News Glidona Daci, Gjykata e Posaçme ka vendosur po ashtu 2 vite burg për ish-juristin në Hipotekën e Vlorës Vezir Gjikoka (me gjykim të shkurtuar 1 vit e 4 muaj) dhe 3 vite heqje lirie për Jerasimo Bashin (me gjykim të shkurtuar 2 vite burg). Ky i fundit (ish-Drejtor i Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës në Bashki) bashkë me Goron kanë ndërmarrë veprime korruptive gjatë ushtrimit të detyrës së tyre, duke tjetërsuar dy prona.
Në episodin e parë rezulton se ata kanë çuar për regjistrim një pasuri me dokumentacion të rremë.
Ndërsa në të dytin për një sipërfaqe toke kanë konfirmuar një plan rilevimi me një vendndodhje gjeografike krejtësisht të ndryshme nga ajo që i korrespondon dokumentacionit pronësor.
Mësohet se rreth 10 mijë m2 tokë në zonën e Dhërmiut do të kalojnë në favor të shtetit. Janë konfiskuar 2 prona që do kalonin për investime strategjike, ndërsa 1 apartament i sekuestruar më parë sipas GJKKO do t’i kthehet biznesmenit Gentian Sula.
/tvklan.al