Për të nxitur dhe tërhequr investimet për zhvillimin e turizmit, tokat shtetërore në zonat malore do të shiten me 1 Euro.
Ministria e Ekonomisë ka hedhur për konsultim projekt-ligjin “Për shitjen e pasurive të paluajtshme shtetërore poseduesve faktikë jopronare në zonat me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore”.
Sipas relacionit shoqërues, zonat malore, të cilat për shkak të burimeve natyrore, trashëgimisë së pasur kulturore dhe gamën e gjerë të aktiviteteve në natyrë konsiderohen si zona të një rëndësie të veçantë me përparësi zhvillimin malor dhe kanë nevojë për mbështetje të posaçme me qëllim rimëkëmbjen ekonomike, nxitjen e punësimit, dhe përmirësimin e kushteve të jetesës.
Ndaj për t’i dhënë një shtysë më tej zhvillimit të tyre, subjektet e interesuara për të investuar në këtë zonë do i marrin tokat me një çmim simbolik prej 1 Euro.
“Ky në zonat e përcaktuara, ministria përgjegjëse vendos për kalimin e pronësisë përmes shitjes me tarifën simbolike 1(një) euro, të gjitha pasuritë e paluajtshme shtetërore me posedues faktik jopronar, të transferuara në pronësi të saj sipas parashikimeve të këtij ligji, pavarësisht zërit kadastral të saj si troje, tokë bujqësore, pyje, kullota, me kusht që të plotësohen kriteret e përcaktuara dhe kushtet e zhvillimit në përputhje me dokumentet e miratuara të planifikimit në zonën e përcaktuar”.
Por tjetërsimi i këtyre pronave nga shteti tek poseduesit fakt kundrejt çmimit simbolik do të realizohet vetëm nëse ata shprehin interes dhe kanë një plan investimi konkret për pasurinë që posedojnë.
Tv Klan