Eksportet e mallrave arritën në vlerën e 199 miliard lekëve në 6-mujorin e parë të vitit 2024. Këto shifra u bënë të ditura nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja i cili thekson se ka patur një rritje të konsiderueshme të eksporteve krahasuar me vitin 2023.
Të ndara sipas kategorive rezulton se xeherorët shënuan rritje me +1.1 miliardë lekë. Ndjekur nga avionët dhe pjesët e tyre me +0.5 miliardë lekë, ndërsa artikujt prej gize dhe çeliku shënuan rritje të eksporteve me +0.3 miliardë lekë sipas Ministrisë së Ekonomisë.
Nga ana tjetër edhe produktet e zarzavateve, frutave apo arrave shënuan rritje të eksporteve në vlerën e +0.3 miliard lekëve.
Sipas Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit eksportet drejt vendeve të BE-së përbëjnë 71.4% të eksporteve gjithsej. Partnerët kryesorë në këtë periudhë për eksportet e ndryshme mbeten në vend të pare Italia me 28.7%, ndjekur nga Turqia 8.5%, Kina 7.5% dhe me 7.3% Greqia.
Ministria e Ekonomisë nënvizon se për shkak të fuqizimit të Lekut kundrejt monedhës evropiane, po aplikohen politika e masa për adresimin e problematikës së eksporteve dhe efekteve në treg.
Klan News