Krimi i dyfishtë në familje që ndodhi ditën e djeshme në fshatin Shalë të Konsipolit, tronditi mbarë opinionin publik. Djali i çiftit që ndërroi jetë, Klemendin Islamaj 41 vjeç është arrestuar nga policia pasi mbi të rëndon akuza “Vrasja e kryer në gjendje të tronditjes së fortë psikike”.
41-vjeçari në momentin që ka hyrë në banesë dhe ka parë të shtrirë pa shenja jete të ëmën, gjatë një konflikti ka shtyrë nga shkallët babin e tij, 69-vjeçarin Hysen Islamaj, i cili mbeti i vdekur në vend.
“Seksioni për Hetimin e Krimeve ndaj Personit arrestoi në flagrancë djalin e tyre, shtetasin K. I., 41 vjeç, për veprën penale “Vrasja e kryer në gjendje të tronditjes së fortë psikike”. Shtetasi K. I. dyshohet se pasi ka parë nënën e tij të pajetë, është konfliktuar fizikisht me babanë e tij, e ka shtyrë atë nga shkallët e banesës dhe si pasojë e dëmtimeve, 69-vjeçari ka humbur jetën,” njofton Policia e Vlorës.
Ndërkaq kujtojmë se Shano Ismalaj, 66 vjeçe ndërroi jetë pasi u masakrua me sëpatë, pas një konflikti të çastit nga bashkëshorti i saj, Hysen Ismalaj 69-vjeç.
“Në vijim të veprimeve procedurale të kryera për ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, në fshatin Shals, Konispol, ku shtetasi H. I., 69 vjeç, në banesë, dyshohet se goditi me sëpatë, në kokë, për motive të dobëta, bashkëshorten e tij, shtetasen Sh. I., 67 vjeçe, e cila si pasojë humbi jetën,” thuhet në njoftimin e bluve të policisë./tvklan.al