Është arrestuar në Vlorë Fredi Arshi alias Alfred Arshiaj, i dënuar nga autoritetet italiane me 11 vite e 6 muaj burg. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, 60 vjeçari është pjesë e një grupi kriminal që merret me trafikim narkotikësh. Pritet ekstradimi i tij në Itali.

“I dënuar nga autoritetet italiane me 11 vjet e 6 muaj burgim, arrestohet për t’u ekstraduar në Itali, pjesëtari i një grupi kriminal me veprimtari në fushën e narkotikëve. Si rezultat i aksioneve intensive të Policisë, të kryera me qëllim kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore dhe të shkëmbyera ndërmjet zyrave homologe të Interpolit, mbi vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të Italisë, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në DVP Vlorë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Epilogo”.

Gjatë operacionit, u kap në lagjen “10 Korriku” dhe u arrestua provizorisht, për t’u ekstraduar në Itali, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar: Fredi Arshi alias Alfred Arshiaj, 60 vjeç, banues në Vlorë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit Torino, Itali, me vendimin e  datës 20.03.2018, e ka dënuar me 11 vjet e 6 muaj burgim për veprën penale “Organizatë kriminale në trafikimin e lëndëve narkotike”, sipas Kodit Penal Italian”, thotë Policia.

/tvklan.al