Policia e Vlorës ka ndaluar një 36 vjeçar nga Kukësi, i dyshuar për “sigurimin e kushteve dhe mjeteve” për të kryer vrasjen e Kristian Markut. Përmes një njoftimi zyrtar, mësohet se automjeti i përdorur nga autorët për ezekutimin e të riut është siguruar nga shtetasi Erald Cenaj.

“Veprime të thelluara hetimore, bazuar edhe në inteligjencën informative, për zbardhjen e vrasjes së ndodhur më 13 janar 2025, identifikimin, lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e autorit/ëve. Siguroi automjetin e përdorur për vrasjen e shtetasit Kristian Marku alias Kristian Bardhi, ndalohet 36-vjeçari me origjinë nga Kukësi. Në vijim të veprimeve intensive nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Vlorë, u bë ndalimi i shtetasit: E. C., 36 vjeç, lindur dhe banues në Kukës, i dyshuar për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri tani nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Vlorë, nën drejtimin e prokurorit të çështjes, u arrit të dokumentohej se automjeti i përdorur nga autori/ët për vrasjen e shtetasit Kristian Marku alias Kristian Bardhi është siguruar nga shtetasi E. C., lindur dhe banues në qytetin e Kukësit. Njëkohësisht, gjatë periudhës hetimore janë kryer veprime dhe janë sekuestruar prova që i shërbejnë hetimit me qëllim zbardhjen e ngjarjes. Në bashkëpunim të ngushtë me Departamentin e Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, vijojnë veprimet e thelluara hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Kujtojmë se 30 vjeçari u ekzekutua me breshëri plumbash në autostradën Fier-Vlorë mbrëmjen e 13 Janarit, në afërsi të fshatit Novoselë. Teksa ai ndërroi jetë në vend, makina me të cilën po udhëtonte u përplas me trafikndarësen dhe dy automjete të tjera në rrugë.

Po kush ishte Kristian Marku?

Kristian Marku alias Kristi Bardhi dyshohej si një nga autorët e ngjarjes së 26 Marsit 2023 të ndodhur në Rrëshen ku pati të shtëna me armë zjarri në drejtim të Saimir Reçit. Për këtë ngjarje u arrestua në atë kohë Martin Bardhi. Uniformat blu dyshonin se të përfshirë ishin edhe djali i Martin Bardhit dhe viktima e sotme (13 Janar 2025), Kristian Marku. Por nuk arritën ta provonin përfshirjen e këtij të fundit dhe u la i lirë nga akuzat. Kristian Marku ishte nipi i Martin Bardhit.

/tvklan.al