Zjarret e fuqishme në Los Anxhelos kanë vrarë të paktën 10 persona, ndërsa sinoptikanët paralajmërojnë se erërat e forta mund të nxisin më tej flakët.
Shërbimet e urgjencës thonë se nuk kanë mundur të arrijnë në shumë zona të goditura rëndë dhe numri i viktimave do të ndryshojë.
Zonat ku zjarret kanë shpërthyer janë shtëpia e disa prej pronave më të shtrenjta në Shtetet e Bashkuara.

Autoritetet thonë se më shumë se 5 mijë e 300 ambiente janë shkatërruar nga zjarri i Palisades, ndërsa rreth 5 mijë prona të tjera janë dëmtuar apo shkatërruar nga zjarri i Eaton.
Industria e sigurimeve po përgatitet gjithashtu për një goditje të madhe teksa analistët parashikojnë humbje prej më shumë se 8 miliardë Dollarësh.
Banorët që ishin evakuuar nga zonat e prekura nga zjarret janë rikthyer për të parë atë që ka mbetur nga skenat apokaliptike të shkatërrimit, teksa shumë prej shtëpive të tyre janë djegur deri në themel.

Ndërkohë, një person është arrestuar me dyshimin se ndezi zjarrin e fundit Kenneth, i cili shpërtheu në kufirin e qarqeve të Los Angeles dhe Ventura të enjten./tvklan.al