Sipas “
Uashington Post’,
presidenti amerikan Donald Trump është gati për tu tërhequr nga marrëveshja bërthamore me Iranin. Sipas tij Teherani ndihmon terroristët dhe nuk e respekton marrëveshjen në fjalë. tërheqja mund të ndodhë javën e ardhshme
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump do të deklarojë javën e ardhshme se do të tërhiqet nga marrëveshje bërthamore me Iranin duke vlerësuar se nuk është në interesin e SHBA-ve dhe duke e lënë vendimin në dorë të kongresit amerikan. Lajmi raportohet nga Uashington Post. Duke folur me zyrtarë të lartë ushtarakë në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se Irani nuk e ka respektuar marrëveshjen. Tërheqja është dhe hapi i parë i rivendosjes së sanksioneve amerikane ndaj Teheranit.
Trump përsëriti dhe njëherë më shumë se Irani nuk duhet lejuar të ketë armë bërthamore. Regjimi iranian sipas tij mbështet terrorizmin dhe eksporton dhunë, shkakton gjakderdhje dhe kaos në Lindjen e mesme. Trump këmbëngul se kjo është arsyeja për të cilën i duhet dhënë fund sulmeve të vazhdueshme dhe ambicieve bërthamore të Teheranit.
Sipas të përditshmes amerikane Trump mund të mbajë një fjalim për temën në 12 tetor duke propozuar dhe një strategji më të gjerë për tu përballur me vendin që akuzohet se sponsorizon terrorizmin dhe destabilizimin e rajonit.
Teherani ka reaguar duke thënë se nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të tërhiqen dhe vendet e tjera do të bëjnë të njëjtën gjë, atëherë marrëveshja merr fund. Por nëse do e bëjnë vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës komiteti Iranin i monitorimit të marrëveshjes do të marrë një vendim. SIpas Teheranit marrëveshja në fjalë nuk është e rinegociueshme./ABCNews