Donald Trump premton dëbim masiv të paprecedentë të emigrantëve të jashtëligjshëm nga Shtetet e Bashkuara.
“Do të jetë dita e çlirimit. Që në ditën e parë do të nis dëbimin më të madh në historinë e Amerikës. Me dëbimin e kriminelëve, do të shpëtoj çdo qytet të pushtuar prej tyre”, deklaroi Donald Trump.
Premtimin e bëri në tubimin e madh elektoral të Nju Jork ku akuzoi rivalen e tij Kamala Harris dhe Presidentin aktual Joe Biden se me paaftësinë e tyre e kanë zhytur vendin në kaos me politikat e tyre të migracionit.
Të pranishëm ishin edhe figura të tjera përfshirë miliarderin Elon Mask, mbështetës i flaktë i Donald Trumpit, por edhe bashkëshortja e ish-presidentit, Melania, e cila ftoi amerikanët të dalin masivisht në mbështetje të tij.
Ndërsa deklarata e komedianit Toni Hinçklif se “Porto Riko është një ishull plot me plehëra që lundron mbi oqean” që hapi tubimin e Nju Jorkut, u kritikua ashpër si nga stafi i rivales demokrate Kamala Harris, ashtu edhe nga shumë republikanë, si raciste kundër popullsisë latine.
Tv Klan