Një 15-vjeçar në Mirditë ka rënë në prangat e policisë pasi është kapur në flagrancë duke transportuar armë dhe municion.

Sipas asaj që bën të ditur policia, në kuadër të këtij operacioni janë sekuestruar 3 granata, 1 kallashnikov si dhe municion luftarak.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës ku po kryhen hetime për të provuar qëllimin e transportimit të këtyre sendeve, nga 15-vjeçari, si dhe për të identifikuar, shtetasit e tjerë që mund të jenë implikuar në këtë rast.

“Finalizohet operacioni policor i koduar “Sinjali”. Sekuestrohen 3 granata, 1 kallashnikov dhe municion luftarak. Vihet në pranga 15-vjeçari që u kap në flagrancë teksa transportonte armët dhe municionin.

Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se një shtetas po transportonte armë zjarri dhe armë shpërthyese, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, në bashkëpunim me shërbimet operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, finalizuan operacionin e koduar “Sinjali”.

Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë, në afërsi të fshatit Fang, teksa transportonte 3 granata, 1 armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak, shtetasi E. S., 15 vjeç, banues në Burrel.

Në drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, të cilës iu referuan materialet procedurale për rastin, po kryhen hetime për të provuar qëllimin e transportimit të këtyre sendeve, nga 15-vjeçari, si dhe për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetasit e tjerë që mund të jenë implikuar në këtë rast”, njofton policia./tvklan.al