Pas hetimit të SPAK ku u vunë në pranga dy efektivë policie dhe një tjetër u shpall në kërkim, Policia thotë se ka bërë menjëherë pezullimin pa pagesë të tyre.
Bëhet fjalë për shefin e krimeve në Himarë Shkëlzen Ruska, shefin e krimeve në Lushnje Ervis Alisinanaj, dhe shefin e policisë kufitare Sarandë, Elvis Dervishi, i cili është shpallur në kërkim.
Gjithashtu, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetimin disiplinor për shkelje të rëndë ndaj këtyre punonjësve.
“Policia e Shtetit vijon bashkëpunimin me të gjitha agjencitë ligjzbatuese për evidentimin dhe largimin nga radhët e saj të punonjësve që cenojnë imazhin e Organizatës së Policisë së Shtetit”, njoftoi policia.
Kujtojmë se rasti ka të bëjë me goditjen e një grupi kriminal në Sarandë që kultivonte kanabis dhe më pas e trafikonte drejt Greqisë. Në lidhje me ngjarjen është arrestuar edhe një person tjetër, i cili në kohën e kryerjes së veprave penale ka qenë ndër të tjera dhe punonjës policie në Drejtorinë e Forcës Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Shtetit, por është larguar nga Policia e Shtetit në vitin 2022./tvklan.al