Aktivistë, miq e të afërm kanë përcjellë për në banesën e fundit afro-amerikanin George Floyd i cili humbi jetën më 25 Maj në Minnesota të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ceromonia u zhvillua në një kishë ndërsa jashtë saj qëndronin qytetarë të cilët me pankarta në duar kërkonin drejtësi.
Pas ceremonisë, policia e Hjustonit shoqëroi kortezhin deri në qytezën Pearland, ku trupi i tij do të prehet pranë nënës së tij. Homazhet nisën të enjten me një ceremoni përkujtimore në Mineapolis, ku ai u qëllua për vdekje dhe vazhduan me Karolinën e Veriut ku ai ka jetuar për disa vite.
Në qytete të tjera si Los Anxhelosi, Bostoni, Las Vegasi e Nju Jorku, mijëra njerëz po ashtu zhvilluan ceremoni për të nderuar 46-vjeçarin si dhe për të bërë thirrje për ndryshime rrënjësore.
Ndërkaq, drejtori i sëmundjeve infektive në SHBA, Anthony Fauci, ka deklaruar se protestat që janë zhvilluar që nga Maji e deri më tani mund të ndikojnë në rritjen e numrit të të infektuarëve dhe në disa qytete amerikane mund të ketë shpërthime të reja.
Fauci ka deklaruar se pandemia e koronavirusit nuk ka përfunduar ende, ndërsa e ka cilësuar Covid-19 si ankthin më të keq. Gjithashtu edhe OBSH u bën thirrje shteteve rreth botës të tregojnë vigjilencë maksimale, veçanërisht sa i përket grumbullimeve masive duke u kërkuar protestuesve të respektojnë masat e distancimit social e mbajtjes së maskave.
Klan Plus