A ju ka ndodhur që një nga kolegët tuaj në punë të “shfryjë” shpesh nga stresi, por duke përsëritur frazën: Jam shumë i zënë! Është një sjellje që mund të kuptohet kur ka ngarkesë, përndryshe “nxit” një lloj gare mes kolegësh se cili ka më shumë punë.

Në kulturën e sotme të punës ndodh shumë shpesh që punonjësit konkurrojnë se cili është më i përkushtuar. Nga një studim i botuar në revistën “Stylist”, rezultoi se 90% e personave që kanë një sjellje të tillë në mënyrë të përsëritur, në fakt nuk punojnë aq shumë. Është një metodë edhe për të krijuar përshtypjen e tillë te eprorët, duke justifikuar pagën.

Megjithatë, ky person ndikon negativisht në atmosferën që krijohet në zyrë pasi favorizon pabarazinë. Nëse dikush ankohet vazhdimisht se ka më shumë punë se të tjerët, automatikisht nuk do t’i jepet ndonjë detyrë shtesë duke i ngarkuar kështu më shumë pjesën tjetër. Dëmtohet bashkëpunimi në grup dhe krijohet mjedis që e kthen ankesën në normë pune. Këto sigurisht nuk kanë asnjë lidhje me standardet reale të punës.

Si do ta dallojmë nëse vetë po shfaqim këtë sjellje?

Është e nevojshme të ndërgjegjësohemi për atë që po ndodh rreth nesh dhe çfarë emocionesh mund të shkaktojmë tek ata që na rrethojnë. Është shumë e rëndësishme ta jetojmë të tashmen, të bisedojmë me kolegët edhe kur ata kanë diçka për të thënë për sjelljen tonë. Po aq e rëndësishme është që të vlerësojmë me ndershmëri punën tonë.

Vetëm nëse kuptojmë përmasat e problemit do të jemi në gjendje të rivlerësojmë masën reale të punës që bëjmë. Duhen vendosur ca limite në radhë të parë te vetja, pastaj për të tjerët. Të mburresh që po punon fort shkatërron çdo lloj marrëdhënieje në punë dhe nuk ka aspak pasoja të mira në psikologjinë tonë.

/tvklan.al