Pas lejes së dhënë nga Uashingtoni, Ukraina nuk priti gjatë dhe lëshoi raketat me rreze të gjatë veprimi brenda territorit rus.

Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se Ukraina hodhi gjashtë raketa ATACM të prodhuara nga Shtetet e Bashkuara në rajonin e Bryanskut.

Duke iu referuar një deklarate zyrtare, agjencitë ruse të lajmeve njoftuan se ushtria kishte rrëzuar pesë prej tyre dhe kishte dëmtuar një tjetër.

Disa pjesë të raketave kishin rënë në territorin e një objekti ushtarak, duke shkaktuar zjarr por Moska deklaroi se nuk pati viktima.

Më herët, Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha se ushtria kishte kryer një sulm ndaj Qendrës së Mbështetjes Logjistike në zonën e Karaçevit që shtrihet në rajonin Bryansk të Rusisë.

Vendimi i Presidentit Joe Biden për të lejuar Ukrainën të përdorë raketa me rreze të gjatë veprimi  erdhi dy muaj nga mbarimi i mandatit presidencial

Ndërkohë Moska sulmoi për herë të tretë zona të banuara në Ukrainë brenda tre ditësh, duke vrarë të paktën 12 persona, përfshirë një fëmijë.

Klan News