Vetëm nënshkrimi i marrëveshjes për mineralet e rralla mes SHBA-së dhe Ukrainës pritet të sheshojë mosmarrëveshjet mes dy presidentëve, Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky.

Dhe një ditë pas replikave të ashpra në distancë, nga Shtëpia e Bardhë erdhi tjetër thirrje.

Këshilltari i sigurisë kombëtare Mike Waltz i kërkoi Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky të kthehet në tryezën e bisedimeve dhe të nënshkruajë një marrëveshje për mineralet që njeh gjithashtu ndihmën që ShBA-ja i ka dhënë vendit në luftën kundër Rusisë.

“Shikoni, presidenti Trump është padyshim shumë i frustruar me presidentin Zelensky. Dhe kjo për faktin se ai nuk është ulur në tryezë, nuk ka qenë i gatshëm të shfrytëzojë këtë mundësi që i kemi ofruar. Por mendoj se ai do të ulet në bisedime dhe shpresoj shumë shpejt”, tha Mike Waltz.

Dy persona me njohuri për këtë çështje i thanë Reutersit se administrata Trump mund të kërkojë të arrijë një marrëveshje të thjeshtuar për mineralet dhe më vonë të negociojë kushte të detajuara.

Ndërkohë në Kiev, i dërguari i Presidentit të SHBA-së Donald Trump për konfliktin në Ukrainë u takua të enjten në Kiev me Presidentin Volodymyr Zelensky, por ende asnjë hollësi nëse takimi ndihmoi për të zbutur përçarjen e paprecedentë midis dy liderëve. Ai shtrëngoi duart dhe u përqafua me Zelenskyn që buzëqeshi dhe i tha:

“Jam i gëzuar që ju shoh, si jeni? … faleminderit që erdhët”. Nuk pati asnjë njoftim nga asnjëra palë për rezultatin e bisedimeve.

Më herët Zelensky përdori një ton pajtues pasi e akuzoi Trumpin për përsëritjen e dezinformatave ruse në përgjigje të akuzës së presidentit amerikan se Ukraina filloi luftën me Rusinë.

Trump vazhdoi duke iu referuar Zelensky si një “diktator” që duhet të veprojë shpejt ose të humbasë Ukrainën.

Shtëpia e Bardhë njoftoi të enjten pasdite se presidenti Trump do të presë javën e ardhshme Presidentin francez Emmanuel Macron dhe Kryeministrin britanik Keir Starmer.

Vetë Presidenti Emmanuel Macron tha se do ta bindë Presidentin Donald Trump se interesat e tij përputhen me ato të aleatëve europianë dhe se shfaqja e ndonjë dobësie ndaj Vladimir Putinit do ta bënte më të vështirë përballjen me Kinën dhe Iranin.

“Unë do t’i them atij, nuk mund të jesh i dobët përballë Putinit. Nuk je ti. Nuk është në interesin tuaj”, tha Macron gjatë një sesioni pyetje përgjigje në mediat sociale.

Në sfondin e negociatave për fundin e luftës në Ukrainë, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte, nënvizoi nevojën e garancive të forta të sigurisë.

“Është jetike që Rusia të mos tentojë kurrë të marrë një kilometër katror tokë ukrainase. Ndërsa ka ende shumë për të bërë, nuk ka dyshim se Europa ka një rol jetik në sigurimin e paqes në Ukrainë. Kjo padyshim do të kërkojë garanci të forta sigurie”, tha Mark Rutte.

Zyrtarët ukrainas thonë se një armëpushim thjesht do t’i japë Rusisë kohë për t’u përgatitur për agresion të mëtejshëm.

Klan News