Më shumë se 30 mijë vrapues nga 126 vende në Romë u ndalën këtë të diel përgjatë Via dei Fori Imperiali. Ata qëndruan 42 sekonda pa lëvizur në vijën e nisjes, një shfaqje solidariteti për Papa Françeskun, i cili po trajtohet në spitalin Gemelli të Romës që prej një muaji.
Muzika dhe festimet u ndërprenë pak para fillimit të ngjarjes së madhe sportive ndërkombëtare. Organizatorët thanë se heshtja kishte për qëllim t’i dërgonte një mesazh të përzemërt Papës, një mbështetës entuziast i sportit dhe Maratonës së Romës.
“Shpresoj që ai të shërohet. Ai është një Papë që më ka pëlqyer shumë”, thotë një atlet.
“Unë me të vërtetë shpresoj që ai të bëhet më mirë së shpejti dhe të kthehet tek ne”, shprehet një tjetër.
Edicioni i sivjetshëm është gjithashtu pjesë e kalendarit zyrtar të ngjarjeve Jubilare 2025.
Sipas Vatikanit, gjendja e Atit të Shenjtë mbetet e qëndrueshme. Mjekët kanë bërë të ditur se analizat kanë treguar përmirësime të shëndetit të Papa Françeskut.
Klan News