Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka nënshkruar një ligj që ul moshën e mobilizimit ushtarak me 2 vjet, nga 27 në 25. Ky ligj do të lejojë Ukrainën që të therrasë më shumë të rinj për të rimbushur rezervat e saj pasi numri i vullnetarëve për ushtarë ka rënë. Parlamenti i Ukrainës miratoi projektligjin në Maj 2023, por ai nuk hyri në fuqi sepse Zelensky nuk e nënshkroi atë. Sjellim në vëmendje se në muajin Dhjetor, Zekensky ka thënë se nevojiteshin 500 mijë ushtarë të tjerë.

Ukraina është përballur me humbje të mëdha në fushën e betejës pas 2 vitesh luftë, ndërsa Rusia ka përfituar nga një avantazh i konsiderueshëm në fuqi punëtore. Nuk është shumë e qartë se çfarë e shtyu Presidentin Zelensky të miratonte një ligj për të ulur moshën e mobilizimit, megjithëse ai ka paralajmëruar më parë për planet që Rusia mund të ketë për të nisur një ofensivë pranverore ose verore këtë vit.

Vendimi i tij mund të nënkuptojë përpjekjen e Ukrainës për të ndërtuar fortifikime të forta mbrojtëse në përgatitje për një ofensivë ruse. Forcat ukrainase kishin shpresuar të merrnin përsëri pjesë të territorit të fituar nga Rusia, si dhe të ndërpresin linjat ruse të furnizimit në Krime. Por pa epërsi ajrore dhe përballë mbrojtjeve ruse, terreni kundërsulmues i Kievit u ndal në fillim të dimrit.

Ukraina është mbështetur shumë në furnizimet perëndimore, veçanërisht në dërgesat e raketave me rreze të gjatë dhe sistemeve të mbrojtjes ajrore. Nga ana tjetër, Presidenti rus Vladimir Putin ka thënë se më shumë se 600,000 trupa të tij po luftojnë në Ukrainë, por nuk ka treguar se sa prej tyre kanë humbur jetën atje./tvklan.al