Në prag të përvjetorit të tretë të luftës, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se është i gatshëm të heqë dorë nga posti nëse kjo do të përkthehet në paqe për Ukrainën dhe shtoi se do ta shkëmbejë largimin nga detyra me anëtarësimin e vendit në NATO.
“Nëse një gjë e tillë do të thotë paqe për Ukrainën, nëse vërtet mendoni që është e nevojshme që unë të largohem nga posti, jam gati. Do ta këmbeja këtë menjëherë me një (anëtarësim) në NATO, nëse është ky kusht, menjëherë.”
Presidenti amerikan Donald Trump, ka këmbëngulur që në Ukrainë të zhvillohen zgjedhjet dhe e quajti fillimisht Zelenskiyn një “diktator”. Kritikat e Presidentit Trump ndaj Zelenskyt erdhën mes përkeqësimit të ndjeshëm të marrëdhënieve mes dy udhëheqësve javët e fundit.
Presidenti Zelenskiy ka kundërshtuar idenë e zgjedhjeve gjatë luftës, një pozicion i mbështetur edhe nga kundërshtarët e tij kryesorë të brendshëm politikë. Zelensky tha se ai aktualisht është i fokusuar në sigurinë e Ukrainës dhe nuk është “ëndrra” e tij të qëndrojë president për një dekadë.
Kreu ukrainas tha gjithashtu se do ta shohë Trumpin si një partner të Ukrainës më shumë sesa një ndërmjetës midis Kievit dhe Moskës.
“Unë vërtetë dua që të jetë më shumë sesa vetëm ndërmjetësim… kjo nuk mjafton.”
Në lidhje me marrëveshjen për mineralet, Zelensky tha se bisedimet po përparojnë, por sipas tij ajo nuk mund të funksionojë nëse Ukrainës i kërkohet të kthejë vlerën e ndihmës tashmë është dhënë nga Uashingtoni, për të cilën presidenti tha se është dhënë në formën e grantit.
“Ne po bëjmë përparim,” tha Zelensky, duke shtuar se zyrtarët ukrainas dhe amerikanë kanë qenë në kontakt për marrëveshjen.
“Ne jemi të gatshëm të ndajmë pasuritë,” tha lideri ukrainas, por e bëri të qartë se Uashingtoni së pari duhej të sigurojë që presidenti rus Vladimir Putin” do t’i japë fund kësaj lufte”.
Zelensky tha se do të flasë me presidentin Donald Trump për propozimin që Ukraina të paguajë 100 për qind interes për ndihmën e ardhshme.
Udhëheqësi i Ukrainës refuzoi të pranojë se vendi i tij i detyrohet SHBA-së 500 miliardë Dollarë për ndihmën e dhënë gjatë kohës së luftës, një shifër e cituar shpesh nga Trump.
Zelensky tha gjithashtu se rreth 15 miliardë Dollarë nga ndihma ushtarake e premtuar më parë e SHBA-së ende nuk është dorëzuar.
Klan News