Uragani “Milton” që ka goditur Floridan ka shkaktuar 4 viktima në bregun lindor të shtetit. Banorët po paralajmërohen herë pas herë që të mos vizitojnë zonat e goditura nga uragani pasi ka sjellë tornado, përmbytje si dhe stuhi të fuqishme.
Drejtori i Divizionit të Menaxhimit të Emergjencave në Florida ka theksuar se ka mbi 20 ekipe urbane të kërkim-shpëtimit në terren që po lëvizin në zonë për të bërë kërkime derë më derë për banorë që nuk kanë mundur të evakuohen.
“Do të na duhet të dalim dhe të shkojmë derë më derë dhe të sigurohemi që të gjithë të jenë mirë. Ndaj ju lutemi qëndroni larg rrugës”, thotë ai.
Më shumë se 3 milionë shtëpi dhe biznese janë pa energji elektrike, ndërsa guvernatori Ron DeSantis thotë se priten më shumë përmbytje në ditët në vijim. Në Shën Petersburg, në bregun perëndimor, furnizimi me ujë është ndërprerë, ndërkohë që ka sjellë dhe shumë dëme të tjera materiale.
Milton po lëviz në Atlantik, por shumë pjesë të shtetit janë përmbytur, ndërsa disa banorë po shpëtohen me varka. Uragani “Milton” është zhvendosur në det të hapur dhe rreziku i stuhive të forta dhe tornadove në Florida është zvogëluar. Megjithatë, mundësia e përmbytjeve të shpejta dhe erërave të dëmshme mbetet./tvklan.al