Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ngrirë fondet për organizatat dhe institucionet e shteteve të tjera.

Urdhri, që mban firmën e Presidentit Donald Trump, ka prekur edhe Shqipërinë.

Kështu, Klan News ka mësuar se ambasada amerikane në Tiranë ka njoftuar institucionet shqiptare për ngrirjen e fondeve amerikane.

Nga pezullimi i fondeve preket edhe SPAK-u, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Fondet janë ngrirë për 3 muaj apo 90 ditë, dhe më pas do të rishikohen.

Vendimi i Trump është në frymën e politikës së tij “Amerika e para”.

Shtëpia e Bardhë ka sqaruar se urdhri presidencial për pezullimin dhe më pas rishikimin vjen për shkak të shpenzimit të parave pa kriter nga administrata Biden, siç njoftoi zëdhënësja Karoline Leavitt.


Institucionet shqiptare që preken nga pezullimi i fondeve amerikane:

Parlamenti, duke përfshirë komisionet e tij

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

Ministria e Drejtësisë, përfshirë Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve

Ministria e Mbrojtjes

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministria e Arsimit dhe Sportit

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale

Ministria e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët

Ministria e Shtetit për Pushtetin Vendor

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, përfshirë KESH, OST, OSHEE dhe Bursën ALPEX

Ministria e Shtetit për Administratën Publike dhe Kundër Korrupsionit

Ministria e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin

Ministria e Financave, përfshirë Agjencinë e Inteligjencës Financiare

Ministria e Brendshme, përfshirë Policinë e Shtetit, Agjencinë e Mbikëqyrjes së Policisë dhe Qendrën e Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm

Ministria e Shtetit dhe Zyra e Kryenegociatorit

Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë

Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë edhe të gjitha gjykatat e tjera

SPAK, përfshirë Prokurorinë Speciale dhe BKH

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, ILD, KPK, ONM

Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike, AKSH, SASPAC

Të gjitha pushtetet vendore


Deklarata e Ambasadës së SHBA në Tiranë për Klan News:

Në përputhje me Urdhrin Ekzekutiv të Presidentit Trump për Rivlerësimin dhe Riorganizimin e Ndihmës Ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara, Sekretari Rubio ka pezulluar të gjithë ndihmën ndërkombëtare të SHBA të financuar nga ose përmes Departamentit të Shtetit dhe Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për shqyrtim. Ai po fillon një rishikim të të gjitha programeve të ndihmës ndërkombëtare për të siguruar që ato të jenë efikase dhe në përputhje me politikën e jashtme të SHBA nën agjendën Amerika e Para.

Presidenti Trump deklaroi qartë se Shtetet e Bashkuara nuk do të japin më verbërisht para që nuk sjellin asgjë për popullin amerikan. Rishikimi dhe riorganizimi i ndihmës ndërkombëtare në emër të taksapaguesve që punojnë fort nuk është thjesht gjëja e duhur për t’u bërë, por është një detyrim moral. Sekretari është krenar që mbron investimet e Amerikës me një rishikim të qëllimshëm dhe të kujdesshëm se si ne shpenzojmë dollarët e ndihmës ndërkombëtare jashtë vendit.

Mandati i popullit amerikan ishte i qartë – ne duhet të ripërqëndrohemi në interesat kombëtare amerikane. Departamenti dhe USAID-i e marrin shumë seriozisht rolin e tyre si kujdestarë të dollarëve të taksapaguesve. Zbatimi i këtij Urdhri Ekzekutiv dhe drejtimi i Sekretarit e çojnë më tej këtë mision. Siç ka thënë Sekretari i Shtetit Marco Rubio, “Çdo dollar që shpenzojmë, çdo program që financojmë dhe çdo politikë që ndjekim duhet të justifikohet me përgjigjen për tri pyetje të thjeshta: A e bën Amerikën më të sigurt? A e bën Amerikën më të fortë? A e bën Amerikën më të begatë?”

/tvklan.al