Pas 3 orësh seancë, ku avokatët e tij dhe vetë kryebashiaku Erion Veliaj kundërshtuan provat e reja të SPAK të dorëzuar të martën në Gjykatën e Posaçme të Apelit, gjyqtari Engert Pëllumbi vendosi të marr kohë dhe të japë verdiktin e tij për masën e sigurisë të enjten në orën 10:00.
SPAK kërkoi në dy seancat, vijimin e masës arrest në burg për kryebashkiakun Erion Veliaj, kërkesë që e mbështetën edhe në disa përgjime të zyrtarit të lartë me familjarët e tij nga qelia në Durrës.
SPAK thotë se këto përgjime tregojnë tendencën e Kryebashkiakut për të ndërhyrë dhe ndikuar në hetimet që po kryhen.
Por për Veliajn, asgjë e re nuk ishte te ato që u konsideruan prova nga prokurorët.
“Keni konsideruar prova të reja çimkat dhe telefonatat e mia me djalin dhe familjen. Interesimin tim për intervista në televizionet kryesore. Nuk kam asnjë sekret në bisedat e telefonike me familjarët e mi nga kabina e burgut. Më izoluat 1 muaj në burg që të gjenit “prova” të reja”, është shprehur Veliaj.
Kryebashkiaku kërkon zëvendësimin e masës në Apel, duke e konsideruar vendimin për burgosjen e tij si të marr në kundërshtim me ligjin. Ai gjithashtu ofroi edhe garanci pasurore.
Lirinë kërkoi edhe biznesmeni Elman Abule, për të njëjtat arsye.
Ndërkohë kundër masës së caktuar janë dhe 3 sipërmarrësit e tjerë Meriman Palushi, Shkëlqim Fusha dhe Gentian Sula, ndaj të cilëve është caktuar detyrim paraqitje.
Në të njëjtën dosje që po heton SPAK, në akuzë është edhe bashkëshortja e kryebashkiakut Ajola Xoxa e cila gjithashtu dyshohet se është përfshirë në të paktën 9 raste korrupsioni dhe pastrim parash.
Ajo ka kërkuar në Apel heqjen e sekuestros për disa llogari bankare, kërkesë që do shqyrtohet të enjten, në orën 09:00 para shpalljes së vendimit për kryebashkiakun.
Tv Klan