Gjykata e Posaçme dënoi me 35 vite burg Jemin Sherën, të cilin e gjeti fajtor si organizator të vrasjes së Behar Sofisë. Ky i fundit u ekzekutua me armë zjarri pranë ish-Piramidës, në qendër të Tiranës në 25 Shkurt të 2021.
Shera u hetua dhe gjykua në mungesë pasi prej disa vitesh i është fshehur drejtësisë. Hetimet e kryera nga SPAK treguan se Shera ishte personi që kishte organizuar dhe koordinuar lëvizjet e 5 personave të tjerë që realizuan ekzekutimin.
5 bashkëpunëtorët e tij janë dënuar më herët nga Gjykata e Posaçme me 122 vite burg në total.
Për 6 muaj ata e ndoqën dhe vëzhguan në lëvizjet e përditshme të Behar Sofisë deri në realizimin e vrasjes së tij.
Disa javë pas ngjarjes, Policia arriti të identifikonte Ernejt Shytin si personi që qëlloi me pistoletë 66-vjeçarin dhe më pasi ai zgjodhi të bashkëpunojë me drejtësinë duke marrë statusin e të penduarit.
Shyti tregoi se miku i tij Xhuljano Visha e kishte angazhuar për ekzekutimin e Sofisë, duke i premtuar se do merrte 50 mijë euro.
Tv Klan