Për emisionin “Opinion” në Tv Klan, gazetari Blendi Fevziu ka zhvilluar një intervistë interesante me Monsignor Vincenzo Paglia. Ai ka treguar se ka mbërritur në Tiranë në 13 Mars të 1991, ku gjeti një vend që kishte probleme të tejskajshme me varfërinë, por me të cilin ra në dashuri.
“Unë mbërrita në Tiranë më 13 Mars 1991. Unë erdha në Shqipëri sepse prej kohësh unë dhe miqtë e mi e shihnim këtë vend me dashuri. Kishim informacione si shteti i parë ateist i krijuar, me një jetë të vështirë, kishte probleme të varfërisë. Në ambasadën gjermane kishte refugjatë. Ramë në dashuri me Shqipërinë”, tregon ai.
Gjatë intervistës, Monsignor Vincenzo Paglia tregon momentin e parë kur ka mbërritur në Shqipëri, ku në shkallët e avionit mban mend se ndodheshin ushtarë me kallashnikov që ju kërkonin të gjithëve pasaportat, por atij jo.
Monsignor Vincenzo Paglia: Mbërrita, gjeta një Shqipëri të varfër, vetëm biçikleta me disa vetura të pakëta, me mijëra bunkierë dhe më bëri shumë përshtypje. Një vend që e doja shumë. Dashuria është e verbër, e shihja me dashuri. Menjëherë, me gjithë atë varfëri, ne vendosëm të përshpejtonin hapat që do të ndërmerrnim. Njerëzit kur më shihnin, ishin shumë të habitur.
Blendi Fevziu: Brezi im për shembull në atë kohë, nuk kishim parë kurrë me sy një prift.
Monsignor Vincenzo Paglia: Unë ju them këtë që kur zbrita nga shkallët e avionit, aty ndodheshin ushtarët me kallashnikov që u kërkonin të gjithëve pasaportën. Kur zbrita unë nuk më kërkuar. Kushedi si ju duka. Nuk më kërkuan asgjë fare.
Blendi Fevziu: Keni hyrë në vendin më të izolur të botës pa ju kërkuar pasaportën?
Monsignor Vincenzo Paglia: Mrekullia e një vendi të jashtëzakonshëm. Mbaj mend se qëndrova tek hotel Dajti. Në fillim pata takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Komitetit Qëndror të Partisë, Spiro Dede që më lejoi ta takoja, por jo i veshur si prift, por me veshje civile. Nga ora 9 deri në 1 të natës komunikova me Spiro Dedën, i kërkova marrëdhënie njerëzore. Ai nuk po e kuptonte se si një prift fliste kundër kapitalizmit. Në fund u përqafuam. Të nesërmen në mëngjes shkon tek Ramiz Alia dhe ja tregon të gjitha.
/tvklan.al