Ushtria izraelite ka deklaruar se ka vërtetuar vdekjen e 4 pengjeve të rrëmbyer nga Hamasi më 7 Tetor. Sipas njoftimit të ushtrisë izraelite, 4 pengjet u vranë gjatë një operacioni izraelit në Khan Younis në Gazën Jugore, ku thuhet se trupat e tyre ende mbahen nga militantët.

Viktimat u identifikuan si Nadav Popplewell, 51 vjeç, Chaim Peri, 79 vjeç, Yoram Metzger, 80 vjeç dhe Amiram Cooper, 85 vjeç. Ndërkohë, zëdhënësi i Forcave Izraelite, Daniel Hagari tha se inteligjenca e mbledhur javët e fundit kishte çuar në këtë vlerësim.

“Ne vlerësojmë se katër prej tyre u vranë bashkë në zonën e Khan Younis gjatë operacionit tonë atje kundër Hamasit”, tha ai duke mos dhënë detaje të mëtejshme.

Muajin e kaluar, Hamasi pretendoi se 51-vjeçari Nadav Popplewell kishte vdekur në një sulm izraelit në muajin Prill. Zyra e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar tha se ishte duke hetuar, por nuk kishte asnjë konfirmim për vdekjen e tij deri më tani.

Chaim Peri dhe Nadav Popplewell

Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, tha në një postim në rrjetin social “X” se ishte shumë i pikëlluar kur mësoi për vdekjen e Nadav Popplewell.

“Mendimet e mia janë me të dashurit e tij në këtë moment të tmerrshëm për ta”, shtoi ai.

Nadav Popplewell u rrëmbye në shtëpinë e tij së bashku me nënën e tij, e cila u lirua përfundimisht. Sipas autoriteteve izraelite, Hamasi vrau rreth 1200 njerëz dhe mori peng 251 të tjerë gjatë sulmeve të tij në Izraelin jugor. Gjatë një armëpushimi 1-javor, Hamasi liroi 105 civilë në Nëntor.

Nga ana tjetër, të paktën 36,470 njerëz janë vrarë në Gaza në pothuajse tetë muaj luftime, referuar shifrave të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi./tvklan.al