Izraeli ka akuzuar Hamasin për shkeljen e marrëveshjes së armëpushimit pasi testet mjeko-ligjore zbuluan se trupi i kthyer nga Gaza të enjten nuk ishte i Shiri Bibas.

Dy prej 3 trupave të tjerë të dorëzuar janë identifikuar si djemtë e saj, Ariel dhe Kfir dhe i treti një tjetër peng, i quajtur Oded Lifshitz. Hamasi nuk ka komentuar ende pretendimin e Izraelit. Izraeli kërkoi kthimin e trupit të saj së bashku me pengjet e tjera të mbetura.

Kryeministri Benjamin Netanyahu tha në një deklaratë të premten se Izraeli do të sigurojë që Hamasi të paguajë çmimin e plotë për këtë shkelje mizore të marrëveshjes.

“Ne do të veprojmë me vendosmëri për ta sjellë Shirin në shtëpi së bashku me të gjithë pengjet tanë të gjallë dhe të vdekur. Kjo është një shkelje e madhe nga organizata terroriste Hamas, e cila është e detyruar sipas marrëveshjes të kthejë pengjet e vdekur”.

Forumi i Pengjeve dhe Familjeve të Zhdukura tha se ishte i tmerruar dhe i shkatërruar nga lajmi se nëna e tyre, Shiri, nuk u kthye, pavarësisht marrëveshjes.

Shiri Bibas, e cila ishte 32 vjeç kur ajo dhe djemtë e saj Ariel 4 vjeç dhe Kfir 9 muajsh, u rrëmbyen nga shtëpia e tyre në Kibbutz Nir Oz, në jug të Izraelit nga militantët e udhëhequr nga Hamas më shumë se 16 muaj më parë. Dy djemtë janë bërë viktimat më të njohura të sulmeve terroriste të 7 Tetorit.

Megjithatë, nuk është e qartë nëse kjo shkelje e marrëveshjes do të vononte apo do të ndalonte dorëzimin e gjashtë pengjeve të gjallë që do të lirohen të shtunën, apo nëse do të ndërpriste fillimin e negociatave për një fazë të dytë të armëpushimit, që pritet në ditët në vijim.

66 të marra më 7 Tetor mbahen ende në Gaza. Tre pengje të tjerë, të marrë më shumë se një dekadë më parë, po mbahen gjithashtu. Deri më tani janë shkëmbyer 28 pengje dhe më shumë se 1000 të burgosur.

Klan News