Hamasi njoftoi se do të lirojë 6 pengje izraelite të shtunën dhe jo 3 sa ishte parashikuar. Po kështu grupi militant bëri të ditur se do të dorëzojë edhe trupat e pajetë të 4 pengjeve të enjten, në një hap befasues që u pa si përgjigje ndaj lejes që Izraeli dha për hyrjen e shtëpive portative dhe pajisjeve të ndërtimit në Gazën e shkatërruar.
Në këmbim, Izraeli pritet të lirojë qindra të burgosur palestinezë, përfshirë shumë nga ata që po vuajnë dënime me burg të përjetshëm për sulme të përgjakshme. Palëve u duhet ende të negociojnë kushtet e fazës së dytë e më të vështirë të armëpushimit.
Grupi izraelit që përfaqëson familjet e pengjeve që po mbahen në Gazë ka identifikuar të 6 izraelitët që do të lirohen të shtunën nga Hamasi. Ata do të jenë pengjet e fundit, të gjallë, që pritet të lirohen në fazën e parë të armëpushimit.
Forumi i Familjeve të Pengjeve dhe të Pagjeturve tha se po “pret me gëzim” kthimin në atdhe të Eliya Cohen, Tal Shoham, Omer Shem Tov, Omer Wenkert, Hisham Al-Sayed dhe Avera Mengistu. Izraeliti 27 vjeç, Eliya Cohen u nxor nga vendstrehimi ndaj bombave në afërsi të festivalit të muzikës Nova në pjesën jugore të Izraelit më 7 Tetor të vitit 2023.
Izraeliti Shoham, 40 vjeç, u rrëmbye në vendbanimin Beeri, një komunitet fermerësh, që u godit më së shumti gjatë sulmit të Hamasit. Bashkëshortja dhe dy fëmijët e tij krahas tre kushërirave të tij gjithashtu u rrëmbyen dhe më vonë u liruan.
Shem Tov, 22 vjeç dhe Wenkert, 23, gjithashtu ishin rrëmbyer në festivalin Nova. Familja e të rrëmbyerit Wenkert ka shprehur vazhdimisht drojën gjatë periudhës sa ishte i rrëmbyer se ai nuk po merrte ilaçet e duhura për trajtimin e një sëmundje të organeve tretëse.
I rrëmbyeri Al-Sayed, 36 vjeç dhe Mengistu, 39 vjeç, janë mbajtur në Gazë shumë para sulmit të 7 Tetorit. Al-Sayed, pjesëtar i fisit arab beduinë të Izraelit, kishte shkuar vet në Gazë në vitin 2015 dhe ishte mbajtur peng nga Hamasi. Mengistu, izraelit me prejardhje nga Etiopia, kishte shkuar në Gazë në vitin 2014./VOA