Vitet e përpjekjeve të Valmirës për t’u bërë nënë kulmuan me ardhjen në jetë të një djali dhe më pas të  një vajze. Ardhja e fëmijëve nuk i solli vetëm gëzimin e mëmësisë, por edhe të miqësisë së vërtetë me Alketën.

Valmira tregon në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan se njiheshin pasi banojnë në të njëjtën lagje dhe bashkëshortët  e tyre janë shokë, por ato s’kishin një raport të ngushtë. Më pas fëmijët i afruan gjithnjë e më shumë me njëra-tjetrën dhe kohërat e vështira kanë dëshmuar miqësinë e tyre.

Valmira: Para 9 muajsh mua më ndërroi jetë babai në një mënyrë komplet… që s’e prisnim. Alketa ka qenë aty për mua në çdo moment të vështirë, në radhë të parë duke më mbajtur fëmijët që “ti mos e  mbaj mendjen këtej” dhe më çonte foto e video gjithë kohës, gjente momentin që vajzën e vendoste në gjumë dhe e shikoja përsëri te koka ime, te shtëpia e prindërve të mi. Këtë gjë ajo e ka bërë edhe kur babai im ishte gjallë, unë nuk dija asgjë, kjo thjesht shkonte te prindërit e mi sikur të ishin prindërit e saj. Babai gjithmonë thoshte “më erdhi edhe vajza tjetër”. Ajo m’i ka dashur dhe m’i ka respektuar sikur t’i kishte prindërit e saj. Unë asaj i jam falënderuese përgjithmonë./tvklan.al