Një 34-vjeçar në qytetin e Vlorës duke drejtuar mjetin e tip Mercedez-Benz ML ka përplasur disa automjete.

Kelian Llakaj rreth orës 19:50 në rreth rrotullimin e Çoles, në lagjen “1 Maji”, ka përplasur fillimisht tre mjete dhe gjatë lëvizjes për t’u larguar nga vendi i ngjarjes, ka goditur edhe një tjetër mjet me drejtuese një 50-vjeçare, punonjëse e policisë së burgjeve.

Ajo ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën, ndërsa për aksidentin u njoftua menjëherë policia. Këta të fundit u vunë në ndjekje të tij por 34-vjeçari nuk iu bind urdhrit për të ndaluar.

Kelian Llakaj në tentativë për t’iu larguar shërbimeve të policisë, ka manovruar me shpejtësi dhe ka goditur dy mjete të policisë duke vënë në rrezik jetën e efektivëve.

Siç raporton policia, pas ndjekjes së vazhdueshme, në një zonë jashtë qendrave të banuara, për të shmangur rrezikun për drejtuesit e tjerë të mjeteve apo kalimtarët e rastit, u bë e mundur ndalimi i drejtuesit të automjetit.

Kelian Llakaj, pasi u shoqërua në komisariatin e policisë dhe iu bë testi i alkoolit, ku rezultoi në gjendje të dehur.

Pas matjes me aparatin drager, në testin e parë doli në masën 1.25 mg/l ndërsa në testin e dytë 1.29 mg/l.

Klan News