Sali Berisha edhe pse organizatori i kësaj proteste, nuk u ngjit në podiumin e vendosur poshtë zyrës së Edi Ramës, por preferoi që zëri i tubimit të ishin të rinjtë.

Në mbyllje të marshimit akuzoi Kryeministrin Rama si  armikun e fjalës së lirë.

“Edi Rama sot mori ndëshkimin përfundimtar. Sot u damkos si një armik i egër jo vetëm i TikTokut, por një armik i egër i lirisë, armik i egër i të rinjve shqiptarë. U damkos përfundimisht si biri i të atit, i cili 37 vite më parë urdhëronte varjen në litar të poetit Havzi Nela. Edi Rama sot mori ndëshkimin më të madh, më të merituar. Ia thanë të gjitha të rinjtë”, tha Berisha.

Para medias u shfaq i ekzaltuar teksa të rinj iu bashkuan edhe gjatë fjalës së shkurtër që mbajti për gazetarët në përfundim të mitingut.

“Hajde këtu….Unë isha një pjesëmarrës në këtë miting që për nga cilësia, po u garantoj, krahasohet me mitingun e datës 11 Dhjetor 1990 kur studentët liberatorë u kthyen nga pallati presidencial dhe erdhën fitimtar në sheshin e Qytetit Studenti. Dhe aty ata mbajtën fjalët më mbresëlënëse që unë kam dëgjuar ndonjëherë. Pra, tani të themi, në 35 vite, këto ishin fjalimet më mbresëlënëse për mua, por edhe për të gjithë shqiptarët. Të rinjtë e fituan betejën sonte”, tha Berisha.

Protesta e thirrur nga opozita vjen pas vendimit të qeverisë që bllokoi për një vit mbylljen e platformës Tiktok në vendin tonë.

Tv Klan