Kryeministri britanik Keir Starmer ka zhvilluar një samit virtual me 25 vende partnere si Franca e shtete të tjera europiane, liderët e unionit, NATO-s e Kanadasë.

Ai i nxiti ata të vazhdojnë presionin ndaj Rusisë për të arritur një marrëveshje armëpushimi.

“Nëse Putini është serioz për paqen, është shumë e thjeshtë. Ai duhet të ndalojë sulmet e tij barbare në Ukrainë dhe të bjerë dakord për një armëpushim, dhe bota po e shikon. Dhe bindja ime është se herët a vonë ai do të duhet të vijë në tryezë dhe të përfshihet në një diskutim serioz”, është shprehur Keir Starmer.

Starmer do të kërkojë mbështetjeje logjistike, financiare ose ushtarake për Kievin për ta vendosur atë në një pozicion të fortë për bisedime.

Kryeministri britanik ka thënë se Britania mund të dërgojë paqeruajtës në Ukrainë në rast të një marrëveshjeje armëpushimi.

Megjithatë, Kryeministrja italiane Giorgia Meloni e cila mori pjesë në samitin virtual është kundër kësaj ideje dhe nuk ka ndërmend të dërgojë trupa italiane në Ukrainë.

Të enjten Presidenti rus Vladimir Putin tha se Rusia mbështet një propozim të SHBA për një armëpushim në parim, por se luftimet nuk mund të ndërpriteshin, derisa të përmbushen një sërë kushtesh.

Klan News