Urdhëroi vrasjen e saj. Pranga edhe 2 të tjerëve
Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për vrasjen e Liridona Murselit dy netë më parë në periferi të Prishtinës, bashkëshortes së Naim Murselit, ish-këshilltarit të Behgjet Pacollit.
Prokuroria e Kosovës konfirmoi se një nga të arrestuarit është pikërisht bashkëshorti i saj, Naim Murseli. Ndërkohë i arrestuari i dyte është Granit Plava, i cili dyshohet se është personi që ka kryer vrasjen. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se ai e ka pranuar krimin në Polici dhe ka thënë se është paguar me 30 mijë euro nga Murseli për të kryer vrasjen. Murseli dhe autori i dyshuar janë bashkëfshatar me njëri-tjetrin.
Ndërsa edhe një person i tretë tashmë i arrestuar dyshohet të jetë bashkëpunëtor në ngjarje.
Liridona Murseli u vra dy netë më parë në periferi të Prishtinës ndërsa me bashkëshortin dhe dy fëmijët e tyre po udhëtonin drejt shtëpisë së tyre.
Fillimisht ishte raportuar që dyshimet e para kishin të bënin me vrasje gjatë grabitjes me armë zjarri, por policia dhe prokuroria bënë të ditur se janë duke hetuar edhe pista të tjera.
Dyshimet u ngjallën pas deklaratës së bashkëshortit të saj në polici se grabitësit e armatosur fillimisht u kishin marrë gjërat me vlerë dhe pastaj edhe telefonat ndërsa ky me dy fëmijët kanë arritur të largohet nga vetura derisa Liridona mbeti e vrarë.
Ajo është varrosur sot në fshatin Cërrmjan të Gjakovës.
Tv Klan