Armenia dhe Azerbajxhani kanë finalizuar tekstin e një marrëveshjeje të shumëpritur për paqe e cila synon vendosjen e marrëdhënieve formale mes tyre. Ky është një hap i madh drejt dhënies fund të mosmarrëveshjeve mes këtyre dy vendeve.

Ministria e Jashtme e Armenisë konfirmoi se Jerevani i ka pranuar propozimet e Azerbajxhanit mbi dy nenet e mbetura të pakoordinuara të marrëveshjes, duke përmbyllur në mënyrë efektive negociatat rreth tekstit. Ajo ka propozuar konsultime me Azerbajxhanin për datën dhe vendin e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje.

Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinian, u tha gazetarëve pak pas njoftimit të Ministrisë se draft-marrëveshja e paqes është kompromis dhe se vendi i tij është i gatshëm t’i fillojë konsultimet.

Ministri i Jashtëm i Azerbajxhanit, Ceyhun Bayramov, u tha gazetarëve se “procesi i negociatave mbi tekstin e marrëveshjes së paqes ka përfunduar zyrtarisht”, duke shtuar se “dy klauzolat e fundit të pazgjidhura janë adresuar, dhe Armenia ka pranuar propozimet e Azerbajxhanit”.

Pavarësisht kësaj arritjeje, Azerbajxhani këmbëngul se marrëveshja nuk mund të nënshkruhet derisa Armenia ta rishikojë Kushtetutën dhe kuadrin e saj ligjor për të hequr çdo referencë për pretendime territoriale mbi rajonet brenda Azerbajxhanit, duke iu referuar kryesisht Nagorno-Karabakut.

Ky është parakusht i domosdoshëm për nënshkrimin e marrëveshjes së paqes”, tha Bayramov.

Zhvillimet e fundit vijnë pas bisedimeve disavjeçare për një marrëveshje të qëndrueshme paqeje. Enklava e Nagorno-Karabakut, me popullsi të madhe armene, ishte nën kontrollin e autoriteteve etnike armene nga fillimi i viteve ‘90, pas një lufte shkatërruese midis dy fqinjëve pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

Megjithatë, pas një ofensive të shkurtër por intensive ushtarake të Azerbajxhanit në Shtator të vitit 2023, udhëheqja separatiste u dorëzua dhe rajoni, tani zyrtarisht i quajtur Karabak, u riintegrua në Azerbajxhan.

Lufta çoi në eksodin masiv të më shumë se 100.000 armenëve etnikë nga ky rajon, duke i dhënë fund dekadave të sundimit separatist.

Klan News