Kombëtarja shqiptare do të grumbullohet javën e ardhshme për të përgatitur sfidën debutuese të kualifikueseve të Botërorit 2026. Tekniku Sylvinho do të përcaktojë futbollistët që do të ketë të gatshëm për dy duelet e para, ndaj Anglisë dhe Andorrës, listë e cila do të publikohet këtë të premte.
Lajmet kanë qënë të mira nga lojtarët kuqezi në takimet e fundit. Jasir Asani po përjeton një moment fantastik, teksa në kombëtare do mbërrijë pas dy golave në Champions League e zonës aziatike. Rey Manaj ka lënë pas problemet fizike dhe besohet të jetë i gatshëm për duelin e 21 Marsit ndaj Anglisë.
Madje, sulmuesi është stërvitur me Sivasporin dhe në fundjavë do të jetë i gatshëm të zbresë në fushë për të mësuar akoma dhe më shumë mbi gjendjen e tij. Edhe Mirlind Daku do vishet kuqezi pas dopietës me Rubin Kazanin, ndërsa në dyshim mbetet prezenca e Myrto Uzunit. Kalimi në MLS ka shtuar kilometrat nga kombëtarja, teksa në dilemë është edhe forma.
Në repartin e sulmit prezent pritet të jetë edhe Arbër Hoxha e Taulant Seferi, ndërsa e sigurtë është mungesa e Indrit Tuçit, i cili gjendet në infermieri prej kohësh. Mesfushori Etnik Brruti do jetë risia e Sylvinhos, me 21-vjeçarin që gjithsesi nuk pritet të ketë hapësira për të zbritur në fushë.
Kristjan Asllani, Bajrami, Laçi e Ramadani e kanë të sigurtë ftesën, ndërsa dilemat e shumta janë në mbrojtje. Elseid Hysaj e Ismajli janë jashtë fushave prej disa ditësh. Për portën, Thomas Strakosha do jetë në dispozicion të Sylvinhos në një formë të jashtëzakonshme që po kalon me AEK-un.
Klan News